Zinedine Zidane ka nisur zyrtarisht aventurën si trajner i Kombëtares së Francës, ndërsa mediat franceze kanë zbuluar edhe detajet financiare të kontratës së tij.
Sipas RMC Sport, legjenda franceze do të përfitojë një pagë fikse prej 300 mijë eurosh në muaj. Megjithatë, falë bonuseve dhe objektivave të parashikuara në kontratë, kjo shumë mund të rritet deri në 450 mijë euro në muaj.
Marrëveshja e Zidane me Federatën Franceze të Futbollit është katërvjeçare, duke e mbajtur atë në krye të “Les Bleus” deri pas Kupës së Botës 2030. Në bazë të kontratës, ai do të fitojë të paktën 3.6 milionë euro në vit, ndërsa nëse realizohen të gjitha objektivat, të ardhurat e tij mund të arrijnë në 5.4 milionë euro në sezon.
Kjo do ta bënte Zidanen një nga trajnerët më të paguar të kombëtareve, me të ardhura potencialisht më të larta se paraardhësi i tij, Didier Deschamps, i cili sipas raportimeve përfitonte rreth 3.8 milionë euro në vit.
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, nuk ka konfirmuar zyrtarisht shifrat e publikuara, por ka theksuar se aspekti financiar nuk ishte tema kryesore gjatë negociatave me Zidanen.
/GazetaBlic Sport/


