UEFA nuk ka shqiptuar asnjë masë disiplinore ndaj Larne apo Crvena Zvezdës pas incidentit të ndodhur javën e kaluar në ndeshjen e kualifikimeve të Champions League, ku në stadium u shfaq një flamur me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Pas ngjarjes, klubi nga Irlanda e Veriut, Larne, u distancua nga incidenti, duke bërë të ditur se flamuri u largua menjëherë sapo u vu re. Megjithatë, ai ishte futur brenda stadiumit dhe u shfaq gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Ndërkohë, Crvena Zvezda publikoi fotografinë e flamurit në rrjetet sociale, duke falënderuar irlandezët për pritjen.
Megjithatë, në vendimin e fundit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s nuk figuron asnjë gjobë apo masë disiplinore ndaj asnjërit klub për këtë incident, duke lënë të kuptohet se rasti është mbyllur pa sanksione.
/GazetaBlic Sport


