Lajme

Haddad: Franca mbështet perspektivën evropiane të Kosovës

07/28/2026 20:11
nga:L J

Franca mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës në mbështetjen e perspektivës së saj evropiane dhe është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga drejtësia e arsimi deri te ekonomia, siguria dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030.

Kështu është shprehur ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në një intervistë për RTK, pas përfundimit të vizitës së tij në Kosovë.

Haddad tha se vizita e tij kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke kujtuar se gjatë qëndrimit në Kosovë janë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi në drejtësi, kulturë, arsim dhe promovimin e gjuhës frënge.

Ai theksoi gjithashtu se Franca ka nënshkruar dy marrëveshje për mbështetjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, përfshirë një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore. Sipas tij, kësaj i shtohet edhe një program zhvillimor prej 80 milionë eurosh për mbështetjen e tranzicionit energjetik në Kosovë.

Duke folur për integrimin evropian, Haddad ritheksoi se Franca mbështet perspektivën e Kosovës në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se procesi i zgjerimit mbështetet në meritë.

“Çdo vend duhet të zbatojë reforma, të forcojë sundimin e ligjit, të harmonizojë legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër”, tha ai.

Sipas ministrit francez, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe reformave të nevojshme do të jenë elemente kyçe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Haddad foli edhe për situatën e sigurisë në rajon, duke vlerësuar se, megjithëse gjendja në Kosovë është e qetë, nevojitet vigjilencë e vazhdueshme.

Ai rikujtoi se Franca vazhdon të kontribuojë në kuadër të KFOR-it dhe e cilësoi praninë e misioneve ndërkombëtare të sigurisë si thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.

Në aspektin ekonomik, Haddad u shpreh optimist për rritjen e investimeve franceze në Kosovë, duke përmendur interesimin për sektorë si sporti, inteligjenca artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, kultura dhe arsimi.

Ai përmendi edhe praninë e kompanive franceze në Kosovë, si Decathlon dhe Carrefour, duke shtuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 do të krijojë mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Në fund, ministri francez vlerësoi se vizita e tij shënon një fazë të re në marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës, duke theksuar se në të ardhmen priten projekte dhe partneritete edhe më të mëdha.