Mbledhja e 371-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritej të shqyrtohej çështja e kërkesave të gjyqtarëve nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.
Mbledhja u ndërprenë pasi disa anëtarë të KGJK-së u larguan nga salla, duke pamundësuar vazhdimin e mbledhjes dhe shqyrtimin e pikave të parapara në rendin e ditës.
Si pasojë, pika e nëntë e rendit të ditës, që kishte të bënte me kërkesën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve, nuk u shqyrtua.
Para ndërprerjes së mbledhjes pati debat lidhur me rendin e ditës. Anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, kërkoi që çështja e gjyqtarëve serbë të trajtohej si pikë e parë, duke e cilësuar si “totalisht të pakonceptueshme” që kjo temë të diskutohej katër vjet pas dorëheqjeve.
Nga ana tjetër, kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, tha se për vonesën nuk mund të mbahet përgjegjëse përbërja aktuale e Këshillit.
“Jemi në fillim të mandatit tonë. Përgjigjen duhet ta japin ata, e jo unë”, deklaroi Thaqi.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i kishte bërë thirrje KGJK-së që të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesat e prokurorëve serbë për rikthim në sistemin e drejtësisë.


