Lajme

Hoti thotë se Qeveria po ia bart qytetarëve rritjen e çmimit të naftës

07/21/2026 10:42
nga:Genita C

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e menaxhimit të kostos së jetesës, duke krahasuar politikat në Kosovë me ato të Mbretërisë së Bashkuar dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, raporton GazetaBlic.

Ai tha se, derisa qeveri të tjera kanë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë për të lehtësuar barrën e qytetarëve, në Kosovë energjia është shtrenjtuar disa herë, ndërsa rritja e çmimeve të naftës, sipas tij, është bartur drejtpërdrejt te konsumatorët.

Hoti vlerësoi se mosveprimi i Qeverisë po ndikon në uljen e shpenzimeve të familjeve për arsim, shëndetësi dhe nevoja të tjera bazike, duke kërkuar uljen e barrës tatimore si masë për zbutjen e kostos së jetesës dhe mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve.

Postimi i plotë:

Me qëllim të zvogëlimit të kostos së jetesës për familje, puna e parë që bëri Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë. Një masë e tillë është marrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian.

Në Kosovë ndodh e kundërta.

Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës.

Problemi nuk mbaron këtu. Mosveprimet e qeverisë sot lënë pasoja afatgjata në zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor në Kosovë.
Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre.
Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve.