Sot, qumështorja “VITA” ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë së Armend Mujës dhe nga AUV që t’i publikojnë rezultatet e analizave pas inspektimit që kanë bërë në qumështore.
Ndaj kësaj ka reaguar vetë ministria e Bujqësisë, ku fillimisht thuhet se, kjo ministri s’ka bërë asnjë zotim publik apo zyrtar se rezultatet e analizave do të publikoheshin më 13 korrik 2026, kësisoj, shton ministria, pretendimi se është shkelur një afat i premtuar nuk qëndron..
Tutje, thuhet edhe se, marrja e rezultateve laboratorike përbën vetëm një pjesë të procedurës së kontrollit zyrtar, dhe se, shton ministria, duhet të përfundojnë edhe verifikimet administrative, teknike dhe ligjore, në mënyrë që raporti përfundimtar të jetë i plotë, i saktë dhe i mbështetur në prova.
‘‘Publikimi i rezultateve të pjesshme ose i analizave të veçuara para përfundimit të procedurës zyrtare do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe do të mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve. Ministria ka kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt, duke respektuar plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet profesionale. Kryeshefi Ekzekutiv ka konfirmuar se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se data 27 korrik 2026 dhe, nëse të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë më herët, raporti do të dorëzohet dhe publikohet edhe para këtij afati’’, thuhet në reagimin e ministrisë.


