Lajme

Përplasje në Forumin Ekonomik Botëror mbi reformat e drejtimit

07/11/2026 22:30
nga:Y I

Administratori i Besuar i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) është përfshirë në një ngërç lidhur me planet për të zvogëluar bordin drejtues, ndërsa pritet vendimi i presidentes së Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, nëse do të kandidojë për të marrë drejtimin e organizatës me ndikim global.

Sipas tre personave të njohur me çështjen, u shprehën për Financial Times, se anëtarët e bordit prej 28 personash të WEF-it, ku përfshihen Lagarde, drejtori ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink, dhe drejtuesja e Accenture, Julie Sweet, u përplasën për të ardhmen e strukturës drejtuese të organizatës gjatë një takimi në fund të qershorit.

Një grup ku bën pjesë Fink, i cili bashkëdrejton WEF-in së bashku me zëvendëspresidentin e Roche, André Hoffmann, paraqiti një propozim për përqendrimin e vendimmarrjes në më pak duar. Kritikët kanë argumentuar se bordi jashtëzakonisht i madh ka sjellë paqartësi, ulje të efikasitetit dhe mungesë përgjegjshmërie.

Sipas burimeve për FT, bordi më i vogël do të përfshinte Fink, Hoffmann dhe Sweet, si dhe Zhu Min, ish-zëvendësdrejtor menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jim Hagemann Snabe, kryetar i Siemens, dhe Orit Gadiesh, kryetare nderi e Bain & Company.

Autoriteti Federal Zviceran për Mbikëqyrjen e Fondacioneve i ka bërë të ditur forumit se mbështet një strukturë me një bord më të vogël drejtues.

Debati për riformatimin e organizatës është nxitur edhe nga themeluesi i larguar i WEF-it, Klaus Schwab, i cili ka lobuar prapa skenave për të ndikuar në të ardhmen e drejtimit dhe udhëheqjes së forumit.

Persona të afërt me qëndrimet e Schwab thonë për FT se ai beson se një bord më i vogël mund të largohet nga modeli i qeverisjes me shumë palë, të cilin ai e ndërtoi për më shumë se pesë dekada. Ai gjithashtu është i shqetësuar për drejtimin e organizatës nën ndikimin e Fink dhe për një “amerikanizim” të saj.

Administratorët po shqyrtojnë gjithashtu ndryshimin e disa rregullave të brendshme të vendosura prej kohësh, përfshirë një dispozitë që aktualisht i lejon Schwab-it të emërojë një anëtar të familjes në bordin e WEF-it.

Sipas burimeve, Schwab u takua me Hoffmann para mbledhjes së muajit të kaluar dhe kundërshtoi propozimet e reja për qeverisjen. Një letër nga themeluesi, ku konfirmonte kundërshtimin e tij ndaj planeve, iu shpërnda anëtarëve të bordit.

Takimi vjetor i WEF-it në Davos të Zvicrës mbledh drejtues shtetesh, guvernatorë bankash qendrore, drejtues kompanish dhe investitorë nga e gjithë bota. Në janar morën pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, lideri i Reform UK, Nigel Farage, dhe themeluesi i SpaceX, Elon Musk.

Por forumi është përballur me polemika prej vitesh. Dy hetime për sjelljen e Klaus Schwab çuan në largimin e tij në prill 2025, megjithëse më vonë ai u pastrua nga akuzat për “shkelje të rëndësishme”. Drejtori ekzekutiv i WEF-it, Børge Brende, dha dorëheqjen në fillim të këtij viti pas një hetimi të brendshëm për lidhjet e tij me personin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein.

Pas largimit të Schwab, Fink dhe Hoffmann u emëruan bashkëkryetarë të përkohshëm, por kanë qëndruar në këto role më gjatë nga sa ishte parashikuar fillimisht, ndërsa bordi merret me çështjet e qeverisjes.

Pasiguria rreth drejtimit ka shtuar një periudhë të trazuar për WEF-in. Pas dorëheqjes së Brendes, Alois Zwinggi u emërua drejtues ekzekutiv i përkohshëm, duke lënë si postin e kryetarit ashtu edhe atë të drejtuesit ekzekutiv në një fazë tranzicioni.

Mbledhja e qershorit nxori në pah ndarjet brenda bordit: disa anëtarë mbështesin vizionin e Schwab për të ardhmen e organizatës, ndërsa të tjerë kërkojnë një drejtim të ri. Me asnjërën palë që nuk arrin shumicën, vendimet u shtynë, thanë burimet.

“Schwab nuk dëshiron të rikthehet, por dëshiron të ketë ndikim në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm për të ruajtur trashëgiminë e tij. Dhe ende ka shumë aleatë në bord”, tha një administrator i WEF-it. Një tjetër person i afërt me mendimet e Schwab tha se themeluesi “nuk është i interesuar” të rikthehet.

Lagarde ka qenë prej kohësh zgjedhja e preferuar e Schwab për pasardhëse. Para largimit të tij në prill 2025, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, të dy kishin diskutuar mundësinë që presidentja e BQE-së të largohej nga Frankfurti para përfundimit të mandatit të saj për të marrë drejtimin e forumit.

Disa mendojnë se Schwab mund të marrë një rol këshillues nëse Lagarde bëhet kryetare e ardhshme. “Financial Times” raportoi në shkurt se Lagarde pritej të largohej nga BQE-ja para përfundimit të mandatit të saj tetëvjeçar në tetor 2027, megjithëse banka qendrore deklaroi në atë kohë se ajo “nuk kishte marrë asnjë vendim” për përfundimin e mandatit.

Lagarde tha së fundmi për gazetën franceze “Les Echos” se ishte “e mundur” që të largohej më herët nëse pasiguritë ekonomike të lidhura me luftën në Iran do të zbeheshin.

“Shumë njerëz në WEF mendojnë se tani topi është në fushën e Lagarde-s sa i përket drejtimit, me gjithë këtë kaos. Ne e dimë se ajo po e shqyrton këtë mundësi”, tha një drejtues i dytë i forumit.

Debati për madhësinë e bordit vjen në një kohë kur forumi po përpiqet të ruajë filozofinë e tij fillestare për bashkëpunim dhe dialog global në një klimë gjithnjë e më të polarizuar politike. Për disa kritikë, WEF shihet si një takim elitar që nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme shqetësimeve të qytetarëve të zakonshëm.

“Ndërsa shohim përpara, mbetemi të përqendruar që Forumi të vazhdojë të ofrojë një platformë unike për bashkëpunimin global, një platformë që nevojitet më shumë se kurrë në botën e sotme gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur”, deklaroi WEF.

/tvklan.al