Një tjetër talent shqiptar po tërheq vëmendjen në futbollin gjerman. Premtim Haxhimusa, 11 vjeçar po vazhdon zhvillimin e tij te akademia e Fortuna Dusseldorf, ku është pjesë që nga viti 2022.
Premtimi iu bashkua klubit fillimisht në grupmoshën U9, ndërsa më pas ka kaluar me sukses në U10, U11 dhe U12.
Një nga dëshmitë më të mëdha të besimit që klubi ka ndaj tij është fakti se Premtimi mban edhe shiritin e kapitenit. Gjatë viteve të fundit ai ka marrë pjesë në një sërë turniresh prestigjioze, si REWE Cup, Orange Veins Cup, Ansbach Cup, si dhe në shumë turnire të tjera, ku ka përfaqësuar me sukses Fortuna Dusseldorf.
Megjithatë, arritja më e madhe e talentit shqiptar deri më tani është nënshkrimi i kontratës me kompaninë gjigante sportive Adidas, sukses që e ka arritur në moshën vetëm 11-vjeçare.
Me zhvillimin që po tregon në një nga akademitë më të njohura të Gjermanisë, Premtim Haxhimusa konsiderohet një emër premtues për të ardhmen e futbollit shqiptar.


