Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka vlerësuar si konstruktiv takimin e zhvilluar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Megjithatë, Kurti ka bërë të ditur se nga ky takim nuk ka ende ndonjë rezultat konkret që mund të ndahet me opinionin publik.
“Me kryetarin Hamza u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve, meqenëse është edhe subjekti i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje si fituese. E falënderoj kryetarin Hamza për këtë takim që ishte konstruktiv në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit. S’mund të them që kemi aktualisht ndonjë rezultat konkret, të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, tha Kurti para mediave.
Kurti ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha partive politike. Ai shtoi se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i asnjë partie politike, që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale e qytetare dhe të jetë shprehje e unitetit, siç e kërkon kushtetutshmëria. Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”, tha Kurti.
Në anën tjetër, Hamza ka konfirmuar se PDK-ja do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati.


