Drejtori gjeneral i Qumështores ‘Vita’ Artan Spahija, në konferencën për media të mbajtur sot, pas ngjarjeve të ditës së djeshme, tha se një grup inspektorësh nga institucionet ka kryer kontroll pas një vendimi për inspektim urgjent nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja.
Spahija tha se ata ka marrë mostra të qumështit “Vita 3.2” dhe qumështorja është në pritje të rezultateve laboratorike.
Me këtë rast, ai kërkoi që analizat të publikohen sa më shpejtë dhe u shpreh se “Vita” është e gatshme të rifillojë grumbullimin menjëherë pas përfundimit të tyre.
Ai tha se vendimi për ndërprerjen e aktivitetit nuk është marrë nga institucionet shtetërore, por nga vetë bordi i kompanisë deri në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.
“Arsyeja e vizitës të një grupi prej 15 aqpo 20 personave; fillimisht kanë ardhur si inspektorë, pastaj ka dalë se janë të ministrisë me një vendim, që me datë 2.7, ministri në detyrë, Armend Muja ka dhënë për një kontrollë urgjente për qumështoren Vita. Neve na ka ardhur vetëm kjo (dokument) nga këshilltarja e ministrit dhe jo nga dikush tjetër. Për fat të keq muj me thanë që ka pasë grup punues që nuk është marrë fare me neve, ka pasë të MINT dhe të AUVK dhe të gjithë këtë kanë fillu vizitë në fabrikë. Dua të ju njoftoj që vendimin për pezullimin s’e ka marrë as Ministria as AUVK, këtë e kemi marrë ne si bord, arsyeja ka qenë se janë marrë mostrat të qumështit Vita 3,2 me pretendimin të analizës. Ne iu bëjmë apel që sa më shpejt të jetë e mundur, të bëhen analizat, të publikohen dhe ne jemi të gatshëm që sot ose nesër të fillojmë me grumbullimin”, tha Spahija raporton “Gazeta Blic”.

Juristi Lekë Sahatçiu, në konferencën e kompanisë ‘Vita’, ka thënë se secili produkt i fabrikës së qumështit Vita është i sigurt për t’u konsumuar.
Ai shtoi se ky fakt u vërtetua edhe nga vizita e djeshme e inspektorëve të AVUK-ut përmes procesverbalit të tyre, si dhe shpjegoi se gjithçka ka qenë e raportuar pranë AVUK-ut, në përputhje me obligimet ligjore që i kanë për këto produkte.
Sahatçiu tha se dje po ashtu është dëshmuar se Vita i ka lajmëruar pikat grumbulluese që u duhet ta ulin kapaciteti në 50 për qind për shkak të mbi dy milionë litrave qumësht që i kanë ende në stok.
“Vizita e djeshme e ka konfirmu edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për industrinë tonë të qumështit, posaçërisht për qumështoren VITA. E ka vërtetu faktin që ne u kemi dërgu pikave tona grumbulluese, jo fermerëve, t’u e marrë parasysh situatën e rëndë në të cilën ndodhet industria e qumështit në Kosovë, i kemi lajmëruar dhe u kemi thënë që për shkak të gjendjes sonë nuk mundemi me u furnizu prej pikave grumbulluese në sasinë që jemi furnizu, por duhet ta ulim në 50 për qind kapacitetin, për shkak se gjendja e stokut ka dalë jashtë kontrollit dhe janë mbi dy milionë litra që janë duke ndenjur në stok. Ky është proces shumë normal kotraktual”.

/Gazeta Blic/


