Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica, ishte i ftuari i kësaj jave në emisionin “Blic Interview” me Astrin Gashin.
Gjatë intervistës, Mushica foli për gjendjen aktuale të Kombëtares së Kosovës, duke vlerësuar se Kosova tashmë ka një skuadër të konsoliduar në të gjitha repartet dhe se ekzistojnë arsye të forta për të besuar në një kualifikim historik në Kampionatin Evropian 2028.
“Momentalisht, mendoj që Kombëtarja e Kosovës i ka të gjitha repartet e konsoliduara mirë. Sulmin e kemi shumë të mirë. Vedati vetëm se e dëshmoi klasin duke ia rrezikuar Mbappes epitetin e golashënuesit më të mirë në La Liga. Po ashtu kemi lojtarë shumë të mirë në të dy krahët. Kemi edhe sulmues shumë të mirë si Asllani, i cili po bën hapa të mëdhenj përpara. Gjithashtu, shpresoj që Zhegrova të ketë më shumë minuta ose të ndryshojë skuadër”, deklaroi Mushica.
Ai theksoi se një nga faktorët kyç për suksesin e përfaqësueses mbetet aktivizimi i rregullt i futbollistëve në klubet e tyre.
“Ka shumë rëndësi se sa hapësirë kanë lojtarët te skuadrat e tyre. Duhet të jemi optimistë për një kualifikim të mundshëm në Euro 2028, por nuk mund ta arrijmë pa disa korrigjime të brendshme, pra të përmirësojmë hapat ku kemi gabuar“, u shpreh ai.
Në fund, Mushica kujtoi edhe rezultatet pozitive që Kosova ka arritur ndaj kundërshtarëve të fortë ndër vite, duke theksuar se cilësia nuk mungon.
“Cilësia nuk mungon. Ne e kemi mposhtur Suedinë dy herë, kemi triumfuar ndaj Sllovakisë dhe kemi barazuar me Zvicrën. Apetitet janë shtuar dhe duhet të jemi optimistë për kualifikim në Evropianin e ardhshëm“, përfundoi ish-portieri i Kosovës.
/GazetaBlic/


