Lajme

Plagosja e katërfishtë në Podujevë- Krejt çfarë dihet deri tani!

07/03/2026 09:17
nga:Y I

Katër persona janë plagosur nga të shtënat në qendër të Podujevës të enjten pasdite.

Të plagosurit janë dërguar me urgjencë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në pamjet dramatike, të publikuara, u panë njerëz të shtrirë në tokë në qendër të qytetit.

Sipas pamjeve, fillimisht të përfshirët në këtë rast shihen duke u fjalosur e më pas nxirren edhe armët.

Policia fillimisht raportoi për tre të plagosur, ndërsa më vonë u konfirmua edhe i plagosuri i katërt.

Tre prej të plagosurve janë familjarë të përfshirë në ngjarje, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit.

Pas ngjarjes, Basri Shabani, nënkolonel në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë ndau detaje nga rasti.

“Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore”, ka deklaruar ai.

Shabani ka theksuar se motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur.

Ai ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se organet kompetente po mbledhin informacione për të sqaruar rrethanat dhe arsyet e incidentit.

Ai ka sqaruar gjithashtu edhe praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes.

“Zyrtari policor që ishte i veshur me rroba civile është hetues i Stacionit Policor në Podujevë. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndikuar që situata të mos përshkallëzohej edhe më tej”, ka thënë Shabani.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se hetimet e para tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.

Sipas Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

Katër të plagosurit aktualisht po trajtohen në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Gjendja e të plagosurve është e rëndë, por stabile, ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës, Naser Syla.

Në raportin 24-orësh, policia tha se pas gjuajtjeve me armë zjarri u gjetën 28 gëzhoja të plumbave.

“Ka ndodhur një rast gjuajte me armë zjarri ku kanë mbetur të plagosur tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe një viktimë mashkull kosovar (kalimtar i rastit), të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarë policorë dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja”.

Policia gjithashtu tha se i ka bastisur shtëpitë e të dyshuarve ku ka gjetur armë e fishekë të shumtë.

Në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i PK-së, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurta me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë. Rasti i nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.