Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini në ”Click” të RTV21 ka reaguar ndaj deklaratave të Mimoza Kusarit-Liles, duke thënë se nuk e ka kuptuar mesazhin e saj dhe duke kërkuar qartësi në qëndrimet e partisë në pushtet ldhur me kërkesat e AAK-së.
Gjini tha se Vetëvendosje mund të refuzojë kërkesat e AAK-së ose të zgjedhë të krijojë një koalicion pa Aleancën, por theksoi se nëse i nevojitet kuorumi i deputetëve të AAK-së, atëherë duhet të pranojë kërkesën për projektin e gazit amerikan.
“Nuk e kuptova asgjë çka tha. Lërini pështjellimet. Mund të thoni: ‘Jo, nuk na pëlqejnë këto kushte’, edhe nëse shkojmë në zgjedhje nuk i pranojmë. Mund të ndodhë që ta bëjnë një koalicion dhe AAK të mos i duhet fare. Por, në rast se ju vjen puna që ju duhet kuorumi dhe AAK ju duhet për kuorum, nuk ua bëjmë kuorumin pa e pranuar gazin amerikan, dhe pikë”, deklaroi Gjini.


