Lajme

Personi që humbi jetën në Dragash dyshohet se është imami kosovar

06/30/2026 09:15
nga:Genita C

Një 47-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, pasi dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur se viktima, G.T., u gjet pa shenja jete nga patrulla policore, ndërsa vdekja u konstatua nga ekipi mjekësor i QKMF-së në Dragash.

G.T raportohet se ka qenë imam kosovar.

Si i dyshuar është identifikuar B.H., 40 vjeç, i cili ndodhet në arrati. Policia ka nisur kërkimet për arrestimin e tij, ndërsa hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin e shtetit.

Konfirmimi i plotë për GazetaBlic.

Vrasje në Dragashë

Më datë 29.06.2026, rreth orës 23:15, policia është njoftuar përmes telefonit se në fshatin Zlipotok, komuna e Dragashit, kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.

Me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë.

Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit.

I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit.