Profesori Artan Nimani vlerëson se mundësia që Lumir Abdixhiku ose Lutfi Haziri të marrin postin e Presidentit është e vogël në rrethanat aktuale politike.
Sipas tij, pavarësisht nominimit të mëhershëm të Vjosa Osmani nga LDK, mungesa e bashkëpunimit mes saj dhe Albin Kurti dhe LVV e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
“Pyetja nëse LDK mund ta marrë postin e Presidentit me emra si Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri është legjitime, por në rrethanat aktuale politike unë nuk shoh gjasa të mëdha që kjo të ndodhë. Së pari, LDK zyrtarisht e ka nominuar para zgjedhjeve znj. Vjosa Osmani si kandidate për presidente. Megjithatë, është e dukshme se raportet politike mes saj dhe LVV-së nuk janë më ato të dikurshmet dhe nuk vërehet një vullnet i qartë politik nga Vetëvendosje për ta mbështetur atë për një mandat të ri”, thotë ai.
“Së dyti, përvoja e viteve të fundit ka treguar se Albin Kurti dhe LVV shpesh kanë ndjekur një qasje të konfrontimit politik dhe kanë krijuar bllokada institucionale, duke e bërë shumë të vështirë arritjen e një konsensusi të gjerë. Edhe zgjedhjet e fundit erdhën pikërisht si pasojë e dështimit për të zgjedhur presidentin dhe mungesës së kompromisit politik”.
Ai paralajmëron se përplasjet politike dhe mungesa e kompromisit mund të çojnë në vazhdim të ngërçit institucional dhe madje edhe në zgjedhje të reja në vjeshtë, ndërsa ofertat brenda LDK-së vlerësohen më shumë si lëvizje të brendshme politike sesa si zgjidhje reale.
“Për këtë arsye, personalisht nuk pres që nga ky konfigurim politik të dalë një president i ri. Më shumë pres vazhdimin e ngërçit institucional dhe, si pasojë, mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të tjera në vjeshtë. Fatkeqësisht, në vend të kulturës së kompromisit, politika kosovare po vazhdon të prodhojë më shumë krizë sesa zgjidhje”, thotë Nimani.
“Vetofrimi i LDK-së përmes z. Haziri më shumë ka efekt të brendshëm për vetë LDK-në sesa që paraqet një mundësi reale për një bashkëqeverisje”, përfundoi ai për GazetaBlic.
LDK-ja kërkon Presidencën: Abdixhiku ose Haziri


