34-vjeçari Eglant Koçi u qëllua me plumb pas koke mbrëmjen e 4 qershorit, ditën që humbi çdo kontakt me familjen. Gjatë këqyrjes së trupit të pajetë, të gjetur në fshatin Cerrujë të Elbasanit, hetuesit kanë konstatuar një shenjë në pjesën e barkut, që i ka bindur se bëhej fjalë për të riun e zhdukur.
Më pas kanë qenë familjarët, si dhe përputhshmëria e rrobave që viktima mbante veshur, që kanë konfirmuar se bëhej fjalë për Eglant Koçin.
Lëvizjet e autorit të dyshuar, shokut të viktimës, Armand Shakaj, drejt zonës së Funarit pas krimit, çuan hetuesit e policisë së Tiranës të kryenin kontrolle në fshatrat përreth të Elbasanit.
Me gjetjen e trupit të të riut, prokuroria e Tiranës pritet të rëndojë pozitat penale ndaj 41-vjeçarit Armand Shakaj, të dyshuar si autor i pengmarrjes dhe më pas vrasjes së të riut.
Kjo ngjarje, sipas hetuesve, dyshohet se ka si motiv një konflikt mes dy miqve për monedhat virtuale Bitcoin.


