Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka shprehur mirënjohjen e tij për qytetarët që i besuan votën në zgjedhjet e fundit, duke bërë thirrje për reformim dhe ringritje të LDK-së. Ai vlerëson se rezultati zgjedhor duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe nisje e një procesi të ri që do ta kthejë LDK-në në një alternativë fituese për Kosovën.
“Rezultati i fundit zgjedhor duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim. Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”, ka thënë Gashi.


