Shkruan: Mehmet Kraja
Është vështirë të mos shprehesh për atë që po ndodhë këto ditë në Tiranë. Nuk është as kureshtja politike, as sentimenti; më shumë të nxisin konspiracionet dhe “patriotizmi i gabuar” i atyre që analizojnë, mbajnë anë dhe gjykojnë.
Rruga e qytetarit të Shqipërisë për të arritur në këtë pikë ka qenë e vështirë: zgjedhje të manipuluara me patronazhistë, pushtet e babëzitur i klpetokratëve, asete kombëtare dhe pushtet ekonomik i përqendruar tek oligarkët, buxhet i keqpërdorur, gjyqësi e korruptuar, afera kriminale, taksa frymënxënëse, pronë e tjetërsuar, inceneratorë etj. dhe, mbi të gjitha, një zhbërje e substancës kombëtare dhe degradim moral i shoqërisë.
Kjo është e mjaftueshme për ta nxjerrë në protestë mbarë Shqipërinë, pa pasur nevojë për shërbime sekrete të huaja, për recidivizëm ideologjik dhe as për “ndihmën vëllazërore” të shqiptarëve të Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut.
Nëse përpiqet dikush t’i manipulojë këta “bjerrakohës shpresëhumbur”, këtë mund ta bëjnë vetëm pushteti dhe mediat e afërta me të.


