Banorë të Drenasit janë ankuar për mungesë të furnizimit me ujë në disa pjesë të ndërtesës ku jeton, duke thënë se problemi po vazhdon prej ditësh.
Një nga banorët e kësaj komune ka thënë për Klankosova se furnizimi me ujë është i kufizuar vetëm në katin e parë, ndërsa katet e sipërme mbeten pa ujë.
“Vetëm kati i parë me ujë, i dyti e ma nalt as 1 pikë ujë”,ka deklaruar ai për redaksinë.
Lidhur me këtë situatë dhe furnizimin jo të rregullt me ujë në disa zona të Drenasit, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kanë dhënë sqarime, duke thënë se problemi lidhet me disa faktorë teknikë dhe të furnizimit me burime ujore.
Sipas kompanisë, furnizimi i paqëndrueshëm me ujë gjatë periudhës së fundit është shkaktuar kryesisht nga niveli i ulët i ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, gjë që, siç thuhet, po krijon kufizime të përditshme në sigurimin e sasive të nevojshme të ujit për konsumatorët.
Po ashtu, KRU Prishtina thekson se edhe infrastruktura e sistemit të pompave, e cila aktualisht mirëmbahet nga Ferronikeli, është në gjendje të rënduar teknike, duke ndikuar në kapacitetin dhe sigurinë e furnizimit me ujë, transmeton Klankosova.tv.
“Gjithashtu, me marrëveshjen e re në proces të finalizimit, mirëmbajtja e sistemit të pompimit pritet të kalojë nga Ferronikeli te KRUP. Ky ndryshim do të mundësojë menaxhim më efikas, reagim më të shpejtë ndaj defekteve, planifikim më të mirë të investimeve dhe mirëmbajtje më cilësore të infrastrukturës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besueshmërisë dhe funksionalitetit të sistemit të pompimit.
“Ndërkohë, janë realizuar investime të rëndësishme edhe në funksionalizimin e pompave në Drenas (lokacioni Xhem Qorri – te Xhamia), të cilat tashmë furnizojnë me ujë lagjen Poklek i Ri dhe Korreticën e Epërme, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin në këto zona”, thotë KRU Prishtina.


