Lajme

Kurti në 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Aty janë rrënjët më të shëndosha të ideve politike të shqiptarëve

06/10/2026 23:32
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë ngjarje të rëndësisë historike, Kurti tha se Lidhja Shqiptare, i dha ekzistencë dhe jehonë dhe e trupëzoi institucionalisht qenien politike shqiptare duke e patur për adresë Prizrenin dhe saktësisht këtë kompleks godinash ku ishte vendosur administrata e Lidhjes dhe më pas Qeveria e përkohshme e dalë prej saj.

Me këtë rast, theksoi se çdo 10 qershor, sikurse edhe sot, duhet të bëhemi bashkë në Prizren që të gjithë, në nderim dhe kujtim të Lidhjes Shqiptare dhe të idealeve të Rilindjes Kombëtare, ku janë rrënjët më të shëndosha të ideve politike të shqiptarëve. “Duke e mirëmbajtur traditën e shënimit të përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare, me referenca ndaj historisë së saj, ne e mbajmë Lidhjen gjallë duke i përforcuar urat përmes të cilave idetë e Lidhjes përcjellën nga një brez në tjetrin”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Pas prezantimit, Kurti vizitoi edhe ekspozitën me titullin ‘’Monumentet historiko-kulturore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’’.