Sporti

Manchester City ‘blindon’ sulmuesin Doku, gati kontrata e re

06/02/2026 16:05
nga:Mergim Rreci

Manchester City ka nisur bisedime të avancuara me anësorin belg Jeremy Doku për rinovimin e kontratës së tij, me synimin që të blindojë një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit afatgjatë të klubit.

Sipas raportimeve të fundit, negociatat po zhvillohen në një atmosferë pozitive dhe palët janë optimiste për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Kontrata aktuale e 24-vjeçarit skadon në verën e vitit 2028, por drejtuesit e kampionëve anglezë dëshirojnë ta zgjasin atë edhe më tej, duke shpërblyer paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë sezonit të fundit.

Doku është shndërruar në një armë të rëndësishme në repartin ofensiv falë shpejtësisë, driblimeve dhe aftësisë për të krijuar raste, duke fituar gjithnjë e më shumë besimin e stafit teknik. Performancat e tij kanë bindur klubin se ai duhet të jetë pjesë e planeve afatgjata në “Etihad Stadium”.

Manchester City po punon për të siguruar vazhdimësinë e disa prej yjeve të skuadrës, ndërsa rinovimi i Doku konsiderohet një prioritet i rëndësishëm në strategjinë e klubit për vitet e ardhshme. Nëse marrëveshja finalizohet, belgu do të vazhdojë të jetë një nga figurat kyçe të projektit të Cityt.

/GazetaBlic Sport/