Lajme

Irani godet bazën ushtarake në Kuvajt, lëndohen pesë ushtarë amerikanë

05/30/2026 11:16
nga:Sh R

Sulmi balistik iranian ndaj bazës ajrore kuvajtiane Ali Al Salem Air Base më 30 maj shkaktoi plagosje të lehta te disa amerikanë dhe dëmtoi rëndë dy dronë amerikanë MQ-9 Reaper.

Sipas një personi të njohur me sulmin, i cili foli për Bloomberg, mbrojtja ajrore kuvajtiane e ka interceptuar raketën Fateh-110, por copëza të saj kanë rënë mbi bazë dhe kanë shkaktuar dëme. Rreth pesë persona, përfshirë kontraktorë dhe pjesëtarë të ushtrisë aktive, pësuan lëndime të lehta.

Një dron Reaper u shkatërrua, ndërsa të paktën një tjetër u dëmtua. Vlera e këtyre dronëve vlerësohet rreth 30 milionë dollarë secili.

Sulmi ndodhi në një kohë kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po shqyrtonte një marrëveshje për zgjatjen e një armëpushimi të brishtë që ka qenë në fuqi që nga prilli, megjithëse të dy palët kanë vazhduar sulmet gjatë kësaj periudhe.

GJITHÇKA, MINUTË PAS MINUTE – Sa jemi afër paqes mes SHBA-së dhe Iranit

Më 29 maj, lideri amerikan shkroi në rrjetet sociale se ishte i gatshëm të merrte një “vendim përfundimtar” për marrëveshjen paraprake, por mbledhja në Shtëpinë e Situatave përfundoi pa deklaratë presidenciale.

Sulmi erdhi pas rrëzimit të disa dronëve iranianë nga forcat amerikane dhe bombardimeve në territorin e Iranit.

Lufta me Iranin ka konsumuar ndjeshëm rezervat amerikane të armëve të shtrenjta, përfshirë raketat JASSM-ER dhe Tomahawk, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore THAAD, Patriot PAC-3 dhe SM-3 Block IIA.

Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së për operacionin Epic Fury, deri tani kanë humbur jetën 14 amerikanë dhe janë plagosur 409 të tjerë.

Irani që nga fillimi i luftës më 28 shkurt ka lëshuar më shumë se 1,850 raketa balistike në objektiva në të gjithë rajonin. Fateh-110 është një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi që, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, mund të mbajë një kokë luftarake prej 500 kilogramësh.