Mikel Arteta ka vlerësuar lart Luis Enriquen para finales së Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germainit, duke e cilësuar trajnerin spanjoll si një shembull për të gjithë në botën e futbollit.
Trajneri i Arsenalit foli për filozofinë e tij të punës dhe mënyrën se si përpiqet ta motivojë skuadrën në prag të sfidave më të mëdha, transmeton GazetaBlic Sport.
“Puna ime është të gjej mënyra që ekipi im të fitojë, të sjell risi dhe t’u qasem ndeshjeve ndryshe çdo herë”, deklaroi Arteta.
Ai u ndal edhe te rrugëtimi i skuadrës londineze në sezonet e fundit, duke theksuar se Arsenalit i ka munguar shumë pak për të arritur suksesin maksimal.
“Dikush i rregulloi planetët në mënyrë që ne të fitonim kampionatin. Në vitet e kaluara ishim afër, por na mungonte diçka. Isha i bindur se këtë vit do të ishim shumë afër, jo fitores, sepse kjo varet nga shumë faktorë”, u shpreh tekniku spanjoll.
Arteta tregoi se fokusi i tij kryesor ka qenë gjendja emocionale dhe motivimi i lojtarëve para finales së madhe kundër PSG-së.
“Puna ime ishte t’i bëja lojtarët e mi të ndiheshin sa më mirë. U dhashë energji dhe u thashë të argëtoheshin si kurrë më parë”, theksoi ai.
Në fund, trajneri i Arsenalit foli me shumë respekt për Luis Enriquen, duke kujtuar periudhën kur e kishte pranë si lojtar dhe më pas suksesin e tij si trajner.
“E kujtoj me shumë dashuri për mënyrën se si i trajtonte lojtarët e rinj dhe si ishte si lojtar. Si trajner ai tregoi lidership, duke ndjekur një rrugë të caktuar dhe pavarësisht kritikave, ai këmbënguli dhe në fund fitoi. Ai është një shembull për të gjithë”, përfundoi Arteta.
/GazetaBlic Sport/


