Sporti

Prishtina e Re shpërthen pas humbjes ndaj Dukagjinit: “Ajo që pamë sot nuk ishte futboll”

05/24/2026 18:24
nga:L J

Prishtina e Re ka reaguar ashpër pas humbjes 2:3 ndaj Dukagjinit në kuadër të Superligës së Kosovës, duke akuzuar rëndë gjyqtarin Mervan Bejtullahu për ndikim në rezultat dhe duke e cilësuar ndeshjen si “maskaradë”.

Në një deklaratë të publikuar pas ndeshjes, klubi kryeqytetas shprehu indinjatën për atë që e konsideron padrejtësi sportive, duke theksuar se ekipi kishte hyrë në fushë vetëm për të luajtur futboll deri në fund të kampionatit, pavarësisht rënies së hershme nga liga.

“Djersa e sportistit, kur tentohet të tjetërsohet përmes atyre që duhet të jenë simbol i drejtësisë dhe integritetit, është dëshmi se për disa persona në komunitetin tonë të futbollit ndërgjegjja ka pushuar së ekzistuari”, thuhet në reagimin e klubit.

Prishtina e Re shtoi se rënia matematikore nga Superliga ishte vulosur, por sipas tyre skuadra kishte hyrë në ndeshje me synimin e vetëm për të garuar ndershëm deri në sekondën e fundit.

“Fatkeqësisht, maskarada u përsërit edhe një herë. Regjisori është i njohur për të gjithë, ndërsa aktori kryesor ishte sërish Mervan Bejtullahu”, vijon deklarata.

Klubi kërkoi falje ndaj tifozëve dhe opinionit sportiv për atë që e quajti “skeç humoristik”, duke insistuar se ajo që ndodhi në fushë nuk përfaqëson frymën e sportit.

“Ne deshëm vetëm të luanim futboll deri në fund. Ajo që pamë sot nuk ishte futboll. Nuk ishte garë. Nuk ishte drejtësi sportive”, përfundon reagimi i Prishtinës së Re.

Ja reagimi i plotë: