Lajme

Ekzekutohen pagat e prillit: Pezullohet greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Prishtinës

05/20/2026 14:19
nga:Genita C

Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë kanë pezulluar grevën pasi sot u janë ekzekutuar pagat e muajit prill.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, bëri të ditur se greva do të mbetet e pezulluar deri më 25 maj. Ai paralajmëroi se nëse deri atëherë nuk nënshkruhen kontratat e punës, punëtorët do të rikthehen në grevë.

Sipas Azemit, greva e djeshme pati efekt, pasi pagat u proceduan sot. Në grevë kishin hyrë punëtorët teknikë të disa shkollave të Prishtinës, përfshirë “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali” dhe “Hasan Prishtina”.