Sporti

Betim Haxhimusa: Pas rënies nga Superliga, Kupa e Kosovës do të ishte ‘shpëtimi’ ynë

05/19/2026 16:56
nga:Mergim Rreci

Finalja e Kupës së Kosovës po afron, ndërsa emocionet dhe pritjet janë të mëdha tek dy skuadrat pjesëmarrëse.

Para ndeshjes vendimtare, ka folur kapiteni i Ferizajt, Betim Haxhimusa, i cili u shpreh i bindur se skuadra e tij është e gatshme të japë maksimumin për ta fituar trofeun historik.

Haxhimusa theksoi se, pavarësisht zhgënjimit të madh pas rënies nga Superliga, ekipi ka gjetur forcën dhe motivimin për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne jemi gati për finalen dhe pavarësisht dëshpërimit në kampionat, ne jemi gati të fitojmë trofeun e parë të klubit. Do të ishte historike dhe do të japim maksimumin në këtë ndeshje”, deklaroi Haxhimusa për “GazetaBlic Sport”.

Kapiteni i ferizajasve foli edhe për rëndësinë që do ta kishte triumfi në Kupën e Kosovës për të ardhmen e klubit, duke potencuar se një sukses i tillë do të sillte më shumë stabilitet në skuadër.

“Me fitimin e Kupës sado pak mundemi të jemi më të qetë duke marrë parasysh që kemi rënë nga Superliga në Ligën e Parë. Nëse do të fitojmë, kjo do të na shërbente edhe në rinovimin e kontratave me futbollistët dhe do të ishim shumë më stabil”, shtoi ai.

Ferizaj tashmë e sheh finalen si mundësinë ideale për ta kthyer sezonin në pozitiv, ndërsa skuadra synon të shkruajë histori me fitimin e trofeut të parë të Kupës së Kosovës.

/GazetaBlic Sport/