Lajme

Atletico Madrid reagon ndaj deklaratave të Perez

05/14/2026 09:07
nga:Mergim Rreci

Atlético Madrid i është kundërpërgjigjur me tone të ashpra presidentit të Real Madrid, Florentino Perez, pas deklaratave të tij të fundit ndaj mediave spanjolle dhe referimeve për rivalët madrilenë.

Pas konferencës të Perez, ku ai pretendoi se disa gazetarë po e sulmojnë klubin dhe aludoi se disa prej tyre janë tifozë të Atléticos, klubi “rojiblanco” reagoi në mënyrë ironike në rrjetet sociale.

Atletico publikoi një mesazh thumbues duke e përkufizuar “obsesionin”, në një lëvizje që u interpretua qartë si kundërpërgjigje ndaj presidentit të Realit.

Në konferencën e tij, Perez kishte akuzuar mediat për një fushatë kundër Real Madridit dhe deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet nga posti i presidentit.

Ai madje tha se disa gazetarë “duket se janë tifozë të Atlético Madridit”, deklaratë që ndezi reagime të shumta në Spanjë.

Përplasja mes dy klubeve madrilene kështu vazhdon edhe jashtë fushës, duke shtuar tensionin në rivalitetin e madh të kryeqytetit spanjoll.

/GazetaBlic Sport