Analisti politik Blerim Burjani ka kritikuar partitë politike për mënyrën se si po veprojnë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke thënë se në këtë periudhë të shkurtër kohore më shumë po bëhen improvizime sesa prurje serioze politike.
Sipas Burjanit, në partitë politike po afrohen persona që nuk kanë peshë në opinionin politik kosovar.
“Partitë, në këtë periudhë kaq të shkurtër kohore, më shumë po bëjnë improvizime. Ka ardhje të njerëzve që nuk kanë ndonjë peshë në opinionin politik kosovar, e disa që janë shitur si analistë në media, ndërkohë që dihet publikisht se janë partiakë. Nuk shoh fitues, por zhurmues, marketing të rrejshëm dhe mashtrime”, thotë ai.
Ai vlerësoi se transferi më i madh politik mbetet kthimi i Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa transferet e tjera i quajti më shumë përfituese sesa në interes të qytetarëve.
Burjani shtoi se nga zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk mund të pritet shumë seriozitet, duke i cilësuar ato si zgjedhje “të zorit”, ekspres dhe pa ndonjë shije të mirëfilltë demokratike.
“Megjithatë, të gjithë e dimë se ardhja apo transferi më i madh politik u bë me kthimin e Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Transferet e tjera politike janë më shumë të niveleve përfituese, por jo të njerëzve që dinë apo ndihmojnë qytetarët për t’ua zgjidhur problemet, të cilat janë grumbulluar seriozisht.
Në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk mund të pritet shumë seriozitet nga kalimi i disa njerëzve nëpër parti, të cilët nuk njihen as për politikë e as për ndonjë profesion serioz që lidhet me interesat e qytetarëve. Këto zgjedhje, në gjuhën popullore, quhen zgjedhje “të zorit”, ekspres dhe pa ndonjë shije demokratike, por thjesht zgjedhore”, tha Burjani për GazetaBlic.
Muhaxheri: Listat e partive opozitare duken më dinjitoze dhe më përfaqësuese
Pantina: Hoti dhe Bajrami, do të jenë dyshja më e votuar në LDK
“Renditja e Hotit dhe Bajramit jashtë top 10-shes nuk është problem”, thotë analisti politik


