Ylli argjentinas Lionel Messi ka folur me shumë vlerësim për mikun e tij dhe ish-bashkëlojtarin Neymar, duke theksuar se braziliani meriton të jetë pjesë e Kupës së Botës dhe se futbolli botëror ka nevojë për lojtarë të kalibrit të tij në skenën më të madhe.
Messi pranoi se opinioni i tij për Neymarin nuk mund të jetë plotësisht objektiv për shkak të miqësisë së ngushtë që kanë ndërtuar ndër vite.
“Opinioni im nuk do të ishte objektiv sepse Neymari është miku im”, u shpreh Messi, transmeton GazetaBlic Sport.
Megjithatë, kampioni i botës me Argjentinën shtoi se dëshira e tij është që Neymar të rikthehet fuqishëm dhe të jetë pjesë e Botërorit të ardhshëm.
“Do të doja shumë që ai të shkonte në Kupën e Botës dhe që shumë gjëra të bukura t’i ndodhnin. Ai e meriton këtë, edhe për shkak të personit që është”, deklaroi Messi.
Sulmuesi argjentinas theksoi gjithashtu rëndësinë që Neymar ka për futbollin brazilian dhe për tifozët në mbarë botën, duke e cilësuar atë si një nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij.
“Në Kupat e Botës, ne gjithmonë duam të shohim lojtarët më të mirë, dhe Neymari do të jetë gjithmonë një prej tyre. Shpresoj që ai të mund të jetë atje për shkak të asaj që përfaqëson për Brazilin dhe për botën”, përfundoi Messi.
/GazetaBlic Sport/


