Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e këtij institucioni.
Sipas informacioneve paraprake, menjëherë pas drekës së të mërkurës, studentët kanë shfaqur shqetësime shëndetësore, ku disa prej tyre kanë pasur komplikacione më të rënda dhe janë dërguar për trajtim në spital.
Dyshohet se shkak i helmimit është ushqimi i konsumuar, pasi Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu.
Studentët kanë shfaqur simptoma si të vjella, dhimbje barku dhe diarre, ndërsa rreth 10 ambulanca kanë mbërritur në Akademi për t’i transportuar drejt spitalit, pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.
Studentët kanë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me cilësinë e ushqimit që u ofrohet.
Gjendja e studentëve të prekur raportohet se është nën kontroll dhe të gjithë janë larguar nga spitali pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.


