Pas eliminimit nga UEFA Champions League mbrëmjen e sotme nga Arsenal, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka reaguar me sportivitet, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe rrugëtimin e skuadrës së tij.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Simeone theksoi se ekipi i tij zhvilloi një sezon pozitiv në kompeticionin më të madh europian për klube. “Mendoj se kishim një sezon shumë të mirë në Champions League. Ne dhamë gjithçka, me të vërtetë,” u shpreh ai.
Tekniku argjentinas pranoi gjithashtu se skuadra e tij tejkaloi pritshmëritë, duke nënvizuar përkushtimin e lojtarëve gjatë gjithë rrugëtimit. “Shkuam shumë më larg sesa pritej zakonisht nga ne,” shtoi ai.
Megjithatë, ai nuk kurseu elozhet për kundërshtarin, duke përgëzuar Arsenalin për arritjen historike. “Asgjë tjetër veçse urime për Arsenalin. Ata e meritojnë, sepse kanë luftuar për vite me radhë për të arritur në finale,” deklaroi Simeone.
Në veçanti, ai vlerësoi punën e trajnerit të londinezëve, Mikel Arteta, duke e cilësuar si vendimtare për suksesin e ekipit. “Mikel Arteta po bën një punë të pabesueshme deri tani. Jam i lumtur për ta,” përfundoi trajneri i Atleticos.
/GazetaBlic Sport/


