Inter vazhdon të mbajë gjallë shpresat për transferimin e talentit argjentinas Nico Paz, edhe pse rikthimi i tij te Real Madrid duket pothuajse i sigurt në fund të sezonit.
Sipas raportimeve të fundit, klubi spanjoll pritet të aktivizojë klauzolën e riblerjes për rreth 11 milionë euro, duke e rikthyer lojtarin në “Santiago Bernabéu”, transmeton GazetaBlic Sport.
Mesfushori 21-vjeçar ka spikatur këtë sezon me fanellën e Como-s në Serie A, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, veçanërisht të Interit, që e konsideron një objektiv kryesor për merkaton e verës.
Inter është i gatshëm të ofrojë një formulë të avancuar transferimi, që mund të përfshijë huazim me të drejtë blerjeje apo edhe transferim të përhershëm, duke i lënë gjithsesi Real Madrid një opsion riblerjeje në të ardhmen. Oferta e mundshme e zikaltërve pritet të arrijë deri në 40-50 milionë euro.
Një element tjetër që mund të ndikojë në negociata është lidhja e fortë mes babait të lojtarit, Pablo Paz, dhe legjendës së Interit, Javier Zanetti, çka mund të favorizojë klubin italian në bindjen e talentit argjentinas.
/GazetaBlic Sport/


