Lajme

“Kurti s’ka qenë i interesuar për marrëveshje”/ Analistët: Vendi drejt zgjedhjeve, kreu i VV-së synon ta fajësojë opozitën

04/20/2026 21:09
nga:G B

Duket se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Sot dështoi të arrihet një marrëveshje mes LDK-së e VV-së, teksa kjo e fundit i ofroi Abdixhikut postin e zv/kryeministrit, pesë ministri dhe kryetarin e Kuvendit, gjë që u refuzua nga kryetari i LDK-së.

Marrëveshje nuk pritet të ketë VV-ja as me PDK-në, derisa kjo e fundit tha se e ka mbyllur kontributin e saj për çështjen e presidentit.

Lidhur me këto zhvillime, ish diplomati, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se është pritur refuzimi i Abdixhikut dhe insistimi i Kurtit që ta ketë edhe postin e presidentit është fyerje për të gjithë.

“Refuzimi i Abdixhikut është refuzim i pritur nga dikush që përfaqëson një parti serioze politike. Insistimi i Kurtit që partia fituese ta ketë edhe Presidentin, edhe Kryeministrin, e potencialisht edhe kryetarin e kuvendit është një fyerje jo vetëm për LDK por për 49% të atyre që nuk e votuan VV-në”, është shprehur ai.

Arifi vlerëson se dikush duhet t’i tregojë Kurtit se është qytetarët që nuk e kanë votuar janë të Kosovës dhe kanë të drejtë përfaqësimi.

Sipas analistit, vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Kurtit duhet dikush t’i tregojë se edhe ata janë qytetarë të Kosovës dhe ata kanë të drejtë të përfaqësohen. Nuk besoj që ka marrëveshje me PDK-në dhe unë besoj se me këtë qasje të Kurtit zgjedhjet janë të garantuara”, ka potencuar Avni Arifi.

Ndërsa, ish diplomatja Alma Lama, thotë se Abdixhiku e ka kuptuar me vonesë se Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje dhe sjellja e tij ishte për ta dobësuar LDK-në.

“Mendoj se Abdixhiku ka kuptuar me vonesë atë që të gjithë e shihnin, që Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje. Sjellja e tij ka qenë krejtësisht joserioze, për të dobësuar pozitën e LDK-së. Kurti asnjëherë nuk ka thënë se do t’ia ofronte presidentin LDK-së, prandaj nuk është dashur t’i shkohet në takime. Ndërsa, është e pakuptueshme se si LDK ka diskutuar për të hyrë në koalicion qeverisës tani dhe jo pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kur e kishte pozicionin shumë më të fortë. D.m.th është një ndryshim qëndrimi pa asnjë kauzë, ndërkohë që Kurti i ka votat për qeverinë”, ka vlerësuar ajo për Gazeta Blic.

Sipas Lamës, Kurti po i përdor ftesat ndaj opozitës, për t’i akuzuar më pas se ata janë fajtorë për zgjedhjet./Gazeta Blic/

“Kurti e ka mision poshtërimin e LDK-së”/ Matoshi: Do ta zgjedhte presidentin e pas pesë javësh do ta prishte koalicionin