Muarem Muarem po bën mrekullinë me Rabotniçkin në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.
Nga ekipi i “fundit” në skuadër që lufton fort për mbijetesë!
Muarem është kontaktuar nga dy klube kosovare dhe fare lehtë mund ta shohim në kampionatin elitar të Kosovës në edicionin e ardhshëm.
Dikur dukej i dorëzuar, një nga skuadrat më të dobëta të fazës së vjeshtës, me mbijetesën që shihej si mision pothuajse i pamundur. Rabotniçki e nisi pranverën me vetëm 7 pikë, një fitore dhe katër barazime në 16 ndeshje, një bilanc që pak kush do ta merrte përsipër ta ndryshonte.
Por Muarem Muarem mendoi ndryshe. Në moshën 37-vjeçare pranoi sfidën, ndërtoi ekipin me mundësitë që kishte dhe i dha skuadrës një drejtim të ri. Rezultatet nuk vonuan, në 12 ndeshje kampionale, ekipi numëron 7 fitore dhe 5 humbje, një kthesë e qartë në raport me fazën e parë.
Sot, me 28 pikë, Rabotniçki vazhdon të jetë në zonën e rrezikut, por ndryshe nga disa muaj më parë, tashmë është realisht në lojë për mbijetesë. Diferencat janë ngushtuar, atmosfera në ekip është pozitive dhe puna e stafit teknik po jep efekt të dukshëm.


