Real Madrid dhe Bayern Munich janë përballur shpesh në fazat me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve, duke krijuar një nga rivalitetet më ikonike në futbollin europian. Statistikat historike tregojnë një balancë interesante mes dy gjigantëve.
Në total, skuadra spanjolle dhe ajo gjermane janë ndeshur 26 herë në këtë fazë të kompeticionit, transmeton GazetaBlic Sport.
Real Madrid ka arritur të sigurojë 13 fitore, duke mbajtur një avantazh të lehtë ndaj Bayern Munich, i cili ka fituar 9 ndeshje. Katër përballje të tjera kanë përfunduar në barazim.
Sa i përket golave, madrilenët kanë shënuar 42 herë, ndërsa bavarezët kanë realizuar 34 gola. Kjo diferencë tregon jo vetëm efikasitetin ofensiv të Real Madrid, por edhe intensitetin dhe nivelin e lartë të këtyre përballjeve.
Rivaliteti mes tyre vazhdon të mbetet një nga më të ndjekurit dhe më spektakolarët në Ligën e Kampionëve, rivalitet i cili do të na shoqërojë edhe në ndeshjen e sotme, duke filluar nga ora 21:00.
/GazetaBlic Sport/


