Lajme

“Justifikimet e Kurtit të paqëndrueshme – ai mbetet i parashikueshëm në paparashikueshmërinë e tij”

04/06/2026 22:32
nga:G B

Pa marrëveshje ishte takimi i sotëm mes kryeministrit Albin Kurti e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit, Kurti tha se për postin e presidentit i duhen 84-85 vota.

Lidhur me këtë, analistja politike Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se duket se Kurti nuk ka interes për të arritur marrëveshje.

“Unë nuk i di detajet e takimit ndërmjet Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, por nga deklaratat pas takimit, Kurti duket se nuk është i interesuar për të arritur marrëveshje”, ka thënë ajo.

Sipas Pantinës, justifikimet e Kurtit janë të paqëndrueshme, pasi deputetët zakonisht deklarohen publikisht kur janë kundër një kandidati.

“Për zgjedhjen e Presidentit duhet të jenë 80 deputetë në sallë dhe nuk mund të supozojmë nëse deputetë nga LDK apo VV nuk do të merrnin pjesë në votim pa e ditur se kush është kandidati. Zakonisht deputetët deklarohen publikisht kur janë kundër një kandidati dhe nuk do të marrin pjesë në votim. Prandaj, justifikimet e Kurtit duken të paqëndrueshme”, ka vlerësuar ajo për Gazeta Blic.

Analistja shton se do të shihet nëse ai dëshiron marrëveshje me PDK-në, teksa thotë se është e qartë se Kurti mbetet i parashikueshëm dhe ai vepron përmes krizave.

“Nëse ai preferon një marrëveshje me PDK për President, kjo do të bëhet e qartë pas takimit që pritet të ketë me Bedri Hamza. Një gjë, sidoqoftë, është e qartë: Kurti mbetet i parashikueshëm në paparashikueshmërinë e tij. Politikisht, ai vepron në dhe përmes krizave”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/

Ish deputeti i VV-së: Të gjitha partitë të interesuara për zgjedhje – Vetëvendosje i do institucionet nën kontroll

“PDK ka ndërruar strategji”/ Arifi: Kurti e bëri të pavlerë takimin me LDK-në – edhe e ftoi, edhe i tha ti nuk mjafton