Sporti

“A kanë këta njerëz shpirt?! Turp për komentet e tyre” – Trajneri i parë i Vedat Muriqit ‘shpërthen’ pas akuzave të fundit ndaj sulmuesit kosovar

04/02/2026 12:57
nga:Mergim Rreci

Trajneri i parë i Vedat Muriqit, Skender Kapra ka reaguar ashpër ndaj disa komentuesve që hodhën akuza të rënda ndaj sulmuesit kosovar pas ndeshjes ndaj Turqisë.

Në një prononcim për ‘GaztaBlic Sport’, Kapra ka deklaruar se këto komente janë të turpshme dhe të liga, sidomos kur bëhet fjalë për një lojtar me karakter dhe dashuri të pastër për Kosovën, siç është Vedat Muriqi.

Trajneri prizrenas shtoi se Muriqi ka luajtur vazhdimisht me shpirt e me zemër me fanellën e shtetit, kurse tha se është prekur shumë emocionalisht nga komente të tilla, të pabaza dhe shumë të ulëta.

Kapra nuk e la pa i dërguar një mesazh të madh mbështetës Muriqit, ashtu siç ia kishte dhënë edhe në fillet e para të karrierës së tij.

“Vërtetë është shumë e turpshme kur shoh këto komente. Nuk e di nëse këta njerëz kanë shpirt apo jo?! U ndjeva shumë keq kur i lexova. Vedati ka qenë nën udhëheqjen time për shumë vite, prandaj e njoh shumë mirë karakterin e tij personal dhe familjar. Mund të flitet çfarëdo, por ne e dimë mirë çfarë ka bërë ky djalë për kombëtaren. Ka luajtur me zemër dhe e ka udhëhequr kombëtaren edhe në situata të vështira, madje edhe si kapiten. Nuk e kuptoj si mund t’i shkojë mendja këtyre njerëzve të ligë se Vedati mund të përfshihet në lojëra të pista. Turp i madh, turp ju qoftë!” ka deklaruar Kapra për ‘GazetaBlic Sport’.

Ja deklarata e tij e plotë:

/GazetaBlic Sport/