Lajme

Paga e 13-të/ Azemi: Diskriminim për punëtorët e sektorit privat – e pafalshme

04/01/2026 14:37
nga:G B

Qeveria e Kosovës ka ndarë pagën e 13-t për punëtorët e sektorit publik.

Por, kjo ka ngjallur pakënaqësi te sektori privat, derisa kjo shihet si diskriminim.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic, tha se nuk e kishte ëndërruar që mund të bëhet një ndarje e tillë, derisa punëtorët e sektorit privat janë trefish më shumë dhe prodhojnë e japin për buxhetin e shtetit.

“Kur flasim për pagën e 13-të për sektorin publik ne e shohim se është bërë një gjest i mirë dhe e çmojmë, në veçanti me këtë rast, derisa është bërë një ndarje për sektorin privat dhe publik, është bërë një diskriminim, sepse jemi diku trefish më shumë punëtorë që prodhojmë dhe japim mjete më shumë për ndarjen e buxhetit të Kosovës dhe unë nuk mund ta kuptoj në bazë të çka i diskriminon këta punëtorë kështu”, ka theksuar ai.

Ai shprehi habi se si qeveria ndihet rehat derisa u jep pagën e 13-të deputetëve që kanë bërë pak punë që 1 vit dhe jo punëtorëve të sektorit privat.

Këtë diskriminim e quan të pafalshëm.

“Si mund të ndihet rehat qeveria e Kosovës dhe të tjerët kur deputetët për 1 vit kanë bërë pak punë dhe i marrin pagat e 13-ta, ndërsa punëtorët diskriminohen, punojmë punë shumë të rënda, prodhojmë për këtë shtet dhe marrim dyfish më pak pagat tona dhe të diskriminohemi në këtë formë nuk kam menduar dhe nuk kam ëndërruar që të bëhet një diskriminim i tillë. Unë e di se të gjithë të barabartë s’mund të jemi por megjithatë, të bëhet ndarja e mjeteve tona për të tjerët dhe jo për neve, kjo është diçka e pafalshme”, ka deklaruar Jusuf Azemi./Gazeta Blic/