Gazetari turk, Muhammet Duman ka vlerësuar ngritjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se pas pranimit në FIFA dhe UEFA, përfaqësuesja kosovare është bërë një ekip që tërheq vëmendjen me lojën efektive.
Në një prononcim për GazetaBlic Sport, ish gazetari i Hurriyet vlerësoi punën e trajnerit Franco Foda: “Foda e ka ngritur ekipin në një nivel tjetër dhe e ka bërë Kosovën një forcë që nuk ndalet lehtë”.
Sipas tij, seria pozitive e rezultateve ka shqetësuar shumë kombëtare evropiane.
Duman e cilëson fitoren ndaj Sllovakisë si një mesazh të fortë: “Kjo fitore tregoi se Kosova është një kundërshtar i frikshëm”. Ai shton se krahasimet me ndeshjen e vitit 2018 nuk janë më relevante: “Kosova e sotme është shumë më e fortë dhe më e rrezikshme”.
Duke folur për Turqinë e drejtuar nga Vincenzo Montella, ai thotë: “Ne duam me çdo kusht të rikthehemi në Kupën e Botës”, por paralajmëron se gabimet mund të ndëshkohen: “Kosova nuk fal as gabimin më të vogël”.
Sa i përket lojtarëve, ai veçon sulmin kosovar: “Vedat Muriqi ka një fuqi që të kujton Zlatan Ibrahimovic”, ndërsa për Fisnik Asllanin thotë: “Është ‘Ronaldo i Kosovës’, një talent i jashtëzakonshëm”.
Për mesfushorin Florent Muslija shton: “Është truri i ekipit dhe duhet ndalur me çdo kusht”.
Në fund, Duman paralajmëron për një ndeshje të fortë: “Kosova është një ekip që mund të shpërthejë në çdo moment”, ndërsa thekson rëndësinë e ndeshjes për Turqinë: “Ka mbetur vetëm një hap drejt realizimit të ëndrrës për Kupën e Botës”.
Kosova dhe Turqia ballafaqohen sonte me fillim nga ora 20:45, teksa fituesi i këtij dueli do të kualifikohet në Kupën e Botës 2026.
/GazetaBlic Sport/


