Sporti

Mirel Josa: Besoj verbërisht tek kjo Kosovë, është në nivel më të lartë se Turqia

03/31/2026 10:25
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë sonte në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Turqinë në një sfidë që mund të përcaktojë fatin e “Dardanëve” drejt një ëndrre të madhe.

Takimi, që nis në ora 20:45, mbart peshë të jashtëzakonshme, pasi një fitore eventuale do ta çonte Kosovën për herë të parë në një turne madhor botëror, siç është Kupa e Botës. Entuziazmi në radhët e tifozëve është në kulm, ndërsa skuadra duket më e bashkuar se kurrë për të arritur këtë sukses historik.

Para kësaj përballjeje vendimtare, trajneri i njohur shqiptar Mirel Josa ka shprehur optimizëm të madh për rezultatin final në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, duke theksuar se Kosova ka ndërtuar një identitet të fortë si ekip.

“Kam besim të plotë në suksesin e Kosovës. Ky rezultat vjen si pasojë e besimit që ka ndërtuar kjo skuadër nga ndeshja në ndeshje. Duhet të shikojmë entuziazmin dhe bashkëngjitur cilësinë që ka Kosova krahasuar me Turqinë,” u shpreh Josa.

Ai shtoi se performancat e fundit të ekipit kanë qenë bindëse dhe i japin arsye për optimizëm: “Besoj verbërisht në këtë Kosovë, ashtu siç deklarova edhe para ndeshjes me Sllovakinë. I kam parë të dyja ndeshjet pararendëse dhe rezultati më dha të drejtë.”

Sipas Josës, nëse krahasohet forma aktuale e të dy përfaqësueseve, Kosova qëndron në një nivel më të lartë.

“Kosova është më lart se Turqia, nëse krahasojmë gjendjen aktuale të dy ekipeve. Këto përfundime i kam nxjerrë nga ajo që kam parë në fushën e lojës.”

Në fund, ai vuri theksin te forca më e madhe e kësaj skuadre është uniteti.

“Ajo që më bën përshtypje është se Kosova ka formuar një ekip të bashkuar, ku nga i pari tek i fundit mendojnë për suksesin e skuadrës, me zemër.”

Me këtë frymë dhe besim, “Dardanët” pritet të hyjnë në fushë të motivuar maksimalisht për të shkruar historinë dhe për t’i dhënë Kosovës një nga momentet më të mëdha në futbollin e saj.

/GazetaBlic Sport/