Ish trajneri i Besiktasit, Riza Calimbay, ka folur para përballjes mes Kosovës dhe Turqisë.
Kosova dhe Turqia ballafaqohen të martën në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, për një vend në Kupën e Botës 2026.
Sipas trajnerit të madh turk, kjo nuk do të jetë një ndeshje e zakonshme dhe mbi të gjitha, nuk do të ketë asnjë ngjashmëri me duelin ndaj Rumanisë, pasi sipas tij, Kosova është më e fortë.
“E vetmja gjë që mund t’ju them është se Turqia nuk do të luajë si ndaj Rumanisë. Rumania është një ekip më i dobët, nuk sulmon. Kosova është ndryshe, ka shumë cilësi, prandaj, Turqia duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, tha fillimisht Riza Calimbay.
“Për Kosovën është ndeshje historike. Po luftojnë për herë të parë për kualifikim në Botëror, kështu që do të japin gjithçka”, vazhdoi 63 vjeçari.
Sipas, Calimbay, dy ekipet duhet të jenë të përqëndruara, pasi është finale dhe luhet për gjithçka.
“Për Kosovën është ndeshje historike, pasi ata po luajnë për herë të parë për kualifikimin në Botëror, të gjithë do të japin gjithçka në fushë. Pra, do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja ekipet, një ndeshje që kërkon vëmendje të madhe. Të dy ekipet duhet të jenë të përqendruara. Është një ndeshje finale, kështu që të gjithë duhet të japin gjithçka në fushë dhe ekipi që luan mirë do të fitojë”, potencoi ai.
Në fund, Calimbay tha se dy shtetet duhet të shtojnë bashkëpunimin në futboll.
“Siç thamë, kur shikoni ekipin e Kosovës, ka lojtarë që luajnë në Turqi dhe ka njerëz që kanë shkuar në Turqi. Ne e konsiderojmë Kosovën një vend të afërt me ne dhe sigurisht që kemi marrëdhënie të mira me ta. Dhe duhet të bëjmë disa gjëra me futbollin, si të marrim trajnerë nga atje, ose lojtarë nga atje, dhe ata të marrin lojtarë nga ne. Duhet të kemi një marrëdhënie të ngushtë dhe të mirë. Siç thashë, kushdo që luan më mirë duhet ta fitojë këtë ndeshje. Kështu që u uroj të dyja ekipeve suksese”, përfundoi ai.
Calimbay ka kaluar pothuajse gjithë karrierën e tij si lojtar te Besiktas, ku ka qenë kapiten dhe një nga mesfushorët më të rëndësishëm të ekipit. Ai ishte pjesë e një prej gjeneratave më të suksesshme të klubit në vitet ‘80 dhe ‘90, duke fituar disa tituj kampionë në Turqi. Ai më pas u bë trajner dhe ka udhëhequr Besiktas, Trabzonspor, Sivasspor, Antalyaspor e Rizespor.
/GazetaBlic Sport


