Sporti

Trajneri i njohur turk, Yilmaz Vural: Në letër Turqia është favorite, por në futboll nuk fiton gjithë më i miri, po përballemi me vëllezërit tanë

03/29/2026 14:37
nga:L J

Trajneri i njohur turk, Yilmaz Vural ka folur në lidhje me finalen e madhe të “Play Offit” mes Kosovës dhe Turqisë, duke e cilësuar atë si një duel të veçantë.

Kosova dhe Turqia ballafaqohen të martën në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, për një vend në Kupën e Botës 2026.

Vural, trajneri 73 vjeçar tha për mediumin tonë se përtej rivalitetit në fushë, kjo ndeshje mbart një ndjenjë të veçantë për shkak të lidhjeve mes dy vendeve.

“Para së gjithash, përtej të qenit rivalë për 90 minuta, për fat të keq po përballemi me një vend që është vëllai ynë. Kjo ndeshje është shndërruar në një garë ku do të luftojmë për t’u kualifikuar në një turne në të cilin ne (Turqia) nuk kemi marrë pjesë prej 24 vitesh. Kushdo që të fitojë, do të jetë një ndeshje ku do të jemi të lumtur, megjithëse me një ndjesi të hidhur ose të ëmbël,” tha fillimisht ish trajneri i ekipeve të mëdha turke.

Trajneri turk vlerësoi lart edhe përfaqësuesen e Kosovës, duke e cilësuar si një ekip të ri dhe shumë premtues në arenën ndërkombëtare.

“I njoh shumë mirë lojtarët e Kosovës. Janë një ekip i ri, dinamik me lojtarë shumë të vlefshëm që luajnë në Evropë. Në letër, Turqia është favorite. Por në futboll, nuk fiton para se të luhet ndeshja. Futbolli nuk është domosdoshmërisht një lojë ku fiton ekipi më i mirë,” theksoi Vural.

“Besoj se do të jetë një lojë e bukur nën flamurin e vëllazërisë,” përfundoi ai.

Yilmaz Vural është një trajner i njohur turk i futbollit. Ai ka qenë trajner i Sivvaspor, Caykur Rizespor, Gaziantepspor, Bursaspor, Konyaspor e disa skuadra tjera të njohura në Turqi.

/GazetaBlic Sport