Presidenti i FC Ferizaj, Lulzim Abazi, ka reaguar në mënyrë të papritur në faqen zyrtare të klubit, duke kërkuar falje ndaj sponsorëve dhe partnerëve për mosmundësinë e sigurimit të biletave për ndeshjen Kosovë – Turqi, e cila do të zhvillohet si finalja kualifikuese për Kampionatin Botëror në Amerikë.
Në mesazhin e tij, Abazi shprehet:
“Si President i FC Ferizaj, ju kërkoj ndjesë të sinqertë që nuk kam mundur të siguroj bileta për ndeshjen Kosovë – Turqi, përkundër kërkesës së madhe nga ana juaj dhe dëshirës së madhe për t’ju nderuar siç e meritoni.”
Ai njëkohësisht ka bërë apel tek Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, që të konsiderohet mundësia që edhe klubet e Superligës të pajisen me një numër simbolik biletash, për t’iu mundësuar sponsorëve dhe partnerëve të nderohen si duhet.
Abazi falënderoi për mirëkuptimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se sponsorët dhe partnerët janë “shtylla kryesore e funksionimit të klubeve”.
/GazetaBlic Sport/


