Gazetari sllovak pranë kombëtares së Sllovakisë, Jan Jasenka, ka folur ekskluzivisht për GazetaBlic Sport lidhur me interesimin e madh të tifozëve kosovarë, duke theksuar edhe një detaj domethënës nga biseda me sulmuesin slloven, Andraz Sporar.
“Nuk mund të jap një përgjigje plotësisht definitive për prezencën e mysafirëve, megjithatë Federata e Futbollit të Sllovakisë (SFZ) është plotësisht e vetëdijshme për situatën e mundshme me tifozët kosovarë. E di për ndeshjen në Slloveni, sulmuesi i Slovan Bratislavës, Andraz Sporar, më ka treguar për këtë, duke përmendur se sa i befasuar ishte nga numri i madh i tifozëve kosovarë në Lubjanë“, tha fillimisht në deklarimin e tij për ‘GazetaBlic Sport’.
Kjo pjesë e deklaratës tregon qartë se alarmi për një prani të madhe të tifozëve të Kosovës ekziston, ndërsa përvoja e ndarë nga Sporar e bën këtë skenar edhe më të besueshëm për palën sllovake.
“Nuk jam plotësisht i sigurt se çfarë masash konkrete ka marrë SFZ për të parandaluar një skenar të ngjashëm, por padyshim që janë të vetëdijshëm për rrezikun. Ne në fakt kemi pasur një përvojë të ngjashme edhe më parë. Në shtator të vitit 2013, Sllovakia u përball me Bosnjë dhe Hercegovinën në Zilina, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2014, dhe në një stadium me kapacitet prej 10,500 vendesh, rreth 8,000 ishin tifozë boshnjakë. Unë isha aty dhe dukej sikur ishim në Sarajevë! Ne nuk kishim më shanse për kualifikim, kështu që thjesht shijova atmosferën. Këtë herë mund të jetë ndryshe, edhe pse kam dëgjuar zëra se tifozët kosovarë kanë arritur të sigurojnë bileta edhe në tribunat vendase. Do ta shohim të enjten.”
Jasenka rikujton një precedent konkret, duke paralajmëruar se historia mund të përsëritet, çka e bën edhe më intriguese atmosferën që pritet në këtë përballje.
/GazetaBlic Sport/


