Komisioni i Gjyqtarëve ka reaguar zyrtarisht pas komunikimit të papranueshëm të kryetrajnerit të Llapit, Tahir Batatina, ndaj gjyqtarit Fatlum Berisha, duke shprehur shqetësim dhe indinjatë të thellë për gjuhën e përdorur.
Në reagimin e publikuar, Komisioni thekson se, ndonëse çdo trajner ka të drejtë të shprehë pakënaqësi për vendimet në fushë, mënyra e komunikimit në këtë rast ka tejkaluar normat etike, profesionale dhe njerëzore, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas deklaratës, veçanërisht shqetësues konsiderohet fakti që trajneri i Llapit ka prekur çështje personale dhe familjare, duke kaluar çdo kufi të pranueshëm të komunikimit.
Komisioni i Gjyqtarëve i ka dhënë mbështetje të plotë gjyqtarit Fatlum Berisha, duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës. Njëkohësisht, është theksuar se çdo përpjekje për të cenuar dinjitetin apo për të ushtruar presion ndaj gjyqtarëve përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
Në fund, Komisioni u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të futbollit, trajnerëve, lojtarëve dhe zyrtarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e respektit dhe profesionalizmit, duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë gjyqtarët dhe të forcojë besueshmërinë e garave në vend.
/GazetaBlic Sport/


