Skuadra e Ligës së Parë, Tefik Çanga ka reaguar pas ndeshjes me Vushtrrinë, duke akuzuar trajnerin e ekipit kundërshtar për sjellje josportive.
Sipas klubit të Tefik Çangës, Armend Dallku ka fyer, ofenduar e madje edhe ka kërkuar nga lojtarët e tij t’i godasin lojtarët kundërshtarë gjatë ballafaqimit, shkruan GazetaBlic Sport.
FFK e denoi sot Dallkun për sjellje josportive me 500 euro.
Më poshtë keni reagimin e Tefik Çangës:
“Klubi i futbollit Tefik Çanga, reagon fuqishëm ndaj sjelljeve të pahijshme dhe krejtësisht të papranueshme të trajnerit të Vushtrrisë, Armend Dallku, ne ndeshjen ndaj nesh!
Nga minuta e pare e takimit e gjate gjithë ndeshjes, personi në fjalë nuk ka ndalur asnjëherë ofendimet e fyerjet me fjalët më të pista e më të ulta dhe provokimet ndaj kryetrajnerit tonë, bankës rezervë dhe skuadrës në fushë.
Atij sikur nuk i mjaftonin fyerjet e ofendimet por kerkonte edhe më tepër madje duke shkuar deri në atë pikë sa të kërkojë nga lojtarët e tij që të godasin lojtarët tanë.
Sjellja e tillë e një ish reprezentuesi të Kombëtares së Shqipërise apo e një “trajneri” si ai tregon shumë për karakterin e tij dhe është e papranueshme për një ndeshje futbolli.
Ne i dënojmë fuqishëm ofendimet dhe sjelljet e tij ndaj trajnerit dhe lojtarëve tanë.
Është e turpshme që një sportist dhe trajner të sillet në këtë mënyrë.
Në fund të ditës, veprimet dhe sjellja e tij flasin më shumë se çdo fjalë dhe tregojnë qartë nivelin e respektit që ai ka për sportin dhe për kundërshtarin.
KF TEFIK ÇANGA do të vazhdojë të tregojë kulturë sportive dhe do të dënojë çdo sjellje të tillë e cila dëmton sportin dhe shkakton urrejtje të panevojshme në komunitetin sportiv”, shkruhet në deklaratë.
/GazetaBlic Sport


