Mbrojtësi i Newcastle United, Fabian Schar, ka shprehur lehtësimin e tij të madh pasi i shpëtoi përvojës së tij të tmerrshme në Lindjen e Mesme.
Mbrojtësi 34-vjeçar zviceran aktualisht po shërohet nga një dëmtim i rëndë në kyçin e këmbës që pësoi në janar.
Schari ishte dhënë leje nga “Magpies” për të udhëtuar drejt Gjirit Persik javën e kaluar për të vazhduar rehabilitimin e tij, por qëndrimi i tij u shndërrua shpejt në një makth mes sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë të Iranit ndaj shteteve të Gjirit.
Pavarësisht kaosit, Fabian Schar tani ka arritur të kthehet shëndoshë e mirë në Angli, por ndau tmerrin që përjetoi në llogarinë e tij në Instagram.
Në një postim emocional, mbrojtësi rrëfeu momentet e tmerrshme që pa.
“Sapo kam përjetuar disa nga ditët më të tmerrshme, pasi për fat të keq kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme. Isha atje si pjesë e programit tim të rehabilitimit dhe jam i lumtur që gjeta një mënyrë për t’u kthyer në shtëpi shëndoshë e mirë. Por ajo që përjetuam atje dhe ajo që po ndodh tani është vërtet e frikshme. Shpresoj që ndihma të arrijë tek të gjithë njerëzit që kanë nevojë për të në zonat e prekura”, shkroi ai.
/GazetaBlic Sport


