Lajme

LDK e vendosur: Nuk marrim pjesë në seancën e zgjedhjes së Presidentit pa marrëveshje politike!

03/03/2026 14:53
nga:Y I

Sot është mbajtur takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për çështjen e presidentit.

Sipas burimeve të Gazeta Blic, në këtë takim, që ishte i treti me radhë, Kurti nuk ka përmendur asnjë emër konkret për postin e Presidentit.

Po ashtu nga të njëjtat burime mësohet se ai sërish nuk e ka përmendur presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Burimet bëjnë të ditur se Kurti ka diskutuar për skenarë të mundshëm lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, përfshirë edhe opsionin që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë dy kandidatë për këtë post.

Megjithatë, për këta skenarë nuk është arritur ndonjë pajtim apo aprovim nga ana e LDK-së.

Të njëjtat burime konfirmojnë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pritet të qëndrojë në sallë nëse nuk ka një marrëveshje politike për çështjen e Presidentit

“Gazeta Blic” po ashtu merr vesh se se Lëvizja Vetëvendosje ka shumë gjasa që të shkojë me emrin e Glauk Konjufcës, që mban aktualisht postin e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Zv/Kryeministër megjithëse deri tani nuk ka asgjë zyrtare dhe konkrete nga ky subjekt politik.

Takimi Abdixhiku-Kurti edhe sot përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe emër të përveçëm.

Nesër me 4 mars është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit dhe takimet ndërmjet Kurtit dhe akterëve kryesorë politikë në vend janë intensifikuar megjithëse deri tani pa një marrëveshje apo rezultat konkret.

Megjithëse sot nuk u deklarua për media, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dje pati një paraqitje mediale pas takimit me Kurtin.

Ai tha se nuk arritën marrëveshje për çështjen e Presidentit pasi nuk kishte emra dhe vullnet për konsensus.

“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, tha Abdixhiku për media raporton “Gazeta Blic”

Kryeminsitri Kurti para takimit të dytë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, potencoi se duhet kandidati që i siguron 80 vota në sallë.

“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së Presidentit. Na duhet kandidati që siguron 80 vota në sallë.Gjithçka do të bëhet e ditur brenda apk ditësh” deklaroi shkurt Kurti raporton “Gazeta Blic”.

Por ndryshe nga dje, sot kryetari i LDK-së Abdixhiku, nuk u deklarua për media pas takimit me Kurtin por nga ky subjekt politik pati një deklarim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti i këtij subjekti politik, Besian Mustafa.

Mustafa potencoi se deri në këto momente nuk është arritur marrëveshje politike por se zgjedhjet janë të evitueshme dhe të panevojshme.

“Deri më tash nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare që ka 30 nënshkrime. Sa i përket marrëveshjes politike, deri në këto momente nuk kemi” deklaroi Mustafa për media raporton “Gazeta Blic”.

Ndërsa kryeministri Kurti shkurt për media potencoi se takimi shkoi në atmosferë konstruktive por se ende s’e kanë zgjidhjen.

“Takimi shkoje në atmosferë konstruktive mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet, por do të ju njoftojmë nëse ka së shpejti” tha Kurti shkurt për media raporton “Gazeta Blic”.

Tashmë kanë mbetur edhe pak orë nga afati përfundimtar për fillimin e procedurave dhe rrjedhimisht zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Deri atëherë s’dihet se çfarë do të ndodhë, ‘a do të kemi Presidentin e ri apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje’.

/Gazeta Blic/

Çështja e presidentit, Mustafa: Deri në këto momente nuk kemi marrëveshje politike

Grupi Parlamentar i LDK-së mban mbledhje për çështjen e Presidentit

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende nuk kemi zgjidhje