Sporti

Superliga veç emër, amaterizëm me vulë në terrene!

03/02/2026 19:29
nga:L J

Superliga e Kosovës u rikthye, jo veç me lojë futbolli, por edhe me vaki që ndoshta veç në vendin tonë ndodhin.

Një fotografi nga ndeshja Prishtina e Re – Llapi, e postuar fillimisht nga mediumi ynë ‘GazetaBlic Sport’, bëri bujë të madhe në rrjetet sociale, por edhe në të gjitha emisionet sportive të vikendit.

Në fotografinë e marrë nga transmetimi i ndeshjes, u shfaq Ilir Blakçori, mbrojtësi i Llapit, i cili pas një dueli me një Nyavedjin, ra në “therrat” e Kampit Nacional në Hajvali.

Çuditërisht “therrat” ishin afër fushës së lojës dhe këtë nuk e vërejti askush nga FFK për ta konstatuar se ky stadium nuk ka kushtet elementare për t’u luajtur një ndeshje futbolli, por pas rrëzimit të mbrojtësit kjo u bë e madhe dhe filluan diskutimet, pasi futbollisti mund të merrte lëndime serioze, e që fatmirësisht shpëtoi veç me disa gërvishja, të cilat në një SUPERLIGË, nuk do t’i merrte nga “therrat”.

“Normal është e tmerrshme me pa këtë gjendje dhe është e vështirë me i bindë lojtarët me ardhë me lujtë në Superligë të Kosovës kur shohim foto të tilla. Është shumë e keqe kjo. Besoj dhe shpresoj që sa më shpejtë të rregullohen kushtet që të ecim para. Kam lujtë në borë e në shi, por në therra ende jo”, deklaroi ishte mesfushori i kombëtares së Kosovës, Herolind Shala në emisionin ‘Favorit’.

Numri 2(6) i Drenicës 

E në ndeshjen e 14 shkurtit me Dritës e Drenicës ndodhi një tjetër rast që në një Superligë evropiane nuk ndodhë, por u pa tek ne dhe nuk kaloi pa u diskutuar.

Cristian Da Silva, futbollisti i Drenicës paraqitet me numrin 6 në fanellë këtë stinor, por në duelin e 14 shkurtit, diçka e pazakontë u vërejt në shpinën e tij.

Në një fotografi të publikuar nga ‘GazetaOlle’, Da Silva shihej se po bartë një fanellë me numrin 26, por numri 2 i fanellës ishte shlyer disi!

Sipas informacioneve tona, një fanellë e personalizuar kushton rreth 50 euro, por Drenica vendosi t’a shlyejë numrin 2…

Stadiumi me zhveshtore, por ‘pa çelës’!

Me 22 shkurt, Ferizaj e mirëpriti Ballkanin në elitën e futbollit tonë që quhet Superligë.

Para këtij ballafaqimi në adresën e mediumit tonë erdhën disa fotogarafi ku shihen lojtarët e ekipit mysafir, në këtë rast të Ballkanit, duke pritur në korridoret e zhveshtoreve për t’u bërë gati për lojë.

Zhveshtoret ishin aty, gjithçka në rregull, por çelësi mungonte, pasi vendasi nuk e kishte dhe lojtarët mysafirë u detyruan të qëndrojnë në korridore, derisa çelësi pak minuta para ndeshjes erdhi, për t’i lejuar ata të hyjnë në dhomat – ku ata supozohet të ndërrohen.

“Lloçi” që na riktheu shumë vite pas…

Nëse para shumë viteve janë luajtur ndeshjet në lloç ekstrem, sot kjo nuk duhet të jetë një problem në futbollin tonë, jo sepse janë rregulluar fushat, por sepse pothuajse shumica e terreneve janë me bari sintetik.

Me 15 shkurt të këtij viti, Dukagjini e priti Gjilanin në stadiumin “18 Qershori”, por aty fusha ishte skandaloze dhe topi mezi ecte nga lloçi i madh.

Në pamjet televizive, mund të dallohej se ajo gjendje ishte skandaloze dhe topi ecte me vështirëse, por askush nuk mori masa që kjo ndeshje të shtyhej.

Në disa momente, fanellat e lojtarëve ndryshuan nga të kuqe e të bardha në pothuajse ngjyrë kafe!

Po, e vërtetë Superligë quhet, por në terrene po shohim amaterizën total…

/GazetaBlic Sport