Lajme

Shukri Buja propozon Jakup Krasniqin për president: Zgjedhja e tij do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës

02/27/2026 19:03
nga:Sh R

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, ka propozuar ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, për president të Kosovës, raporton GazetaBlic.

Ai shton se vendi ka nevojë për një zgjidhje të guximshme dhe të qëndrueshme, ndërsa ka propozuar që për postin e Presidentit të zgjidhet Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit dhe një nga figurat e luftës çlirimtare, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në kuadër të procesit në Dhomat e Specializuara.

Sipas tij, zgjedhja e Krasniqit nga deputetët e Kuvendit do të përbënte “verdikt politik dhe moral” të popullit të Kosovës dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare lidhur me qëndrimin ndaj udhëheqësve të luftës çlirimtare.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Të nderuar Kryetarë të subjekteve politike parlamentare!

Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale.
Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm.

Prandaj po paraqes një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.

Kjo është një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë.

Janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara.

Sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë.

Propozimi im, i dalë nga zemra dhe mendja, natyrisht do të ishte ish-Presidenti Hashim Thaçi.

Por duke njohur qëndrimet e LVV-së, të z. Kurti, të znj. Osmani dhe të koalicionit qeverisës, e kuptoj se kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme.
Megjithatë, ky qëndrim refuzues nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për një personalitet tjetër të luftës, një figurë për të cilën askush nuk mund të thotë se ka përkrahur Dhomat e Specializuara, që nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk është figurë përçarëse.

Propozimi im është i qartë: Z. Jakup Krasniqi.

Një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale.

Një njeri që sot ndodhet në burg, por nuk është i dënuar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë prezumimin e pafajësisë, dhe rregullon edhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme.

PDK dhe AAK nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë.

LDK mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë.

Lista Guxo dhe në veçanti znj. Osmani do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve.

Zgjedhja e z. Jakup Krasniqi si President nga deputetët e Kuvendit do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës.

Do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, që tregon qartë se cili është qëndrimi i këtij populli për udhëheqësit e luftës së tij çlirimtare.

Ky është moment historik për përgjegjësi!

Me respekt,
Sh. Buja